Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Mitrovicë-Jug, ka realizuar një operacion të planifikuar pas një pune intensive hetimore.
Rreth orës 17:40, në parkingun e Stacionit të Autobusëve në Mitrovicë, është ndaluar një person i dyshuar, të cilit gjatë kontrollit trupor i janë gjetur tri qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme 0.99 gram.
Me autorizim të Prokuroria Themelore në Mitrovicë, është kryer kontroll në banesën e të dyshuarit, ku është gjetur një armë automatike me një karikator me 17 fishekë të kalibrit 9×19 mm, si dhe një pistoletë me karikator të zbrazët.
Armët dhe substanca e dyshuar janë sekuestruar nga njësia e Krimteknikës, ndërsa i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me vendim të prokurorit të shtetit, ai është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është iniciuar për veprat penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve” dhe “Mbajtja në pronësi ose posedim të paautorizuar të armëve”. Hetimet po vazhdojnë nga njësia antidrogë në Mitrovicë-Jug.




