Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, avokatja e mbrojtjes së Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka mbajtur fjalën përfundimtare, duke kërkuar shpalljen e tij të pafajshëm për të gjitha akuzat.
Alagendra argumentoi se shumë nga pretendimet e përfshira në raportet e mëparshme kanë qenë të ekzagjeruara dhe nuk kanë rezultuar në akuza konkrete ndaj Krasniqit.
Ajo theksoi se nuk ka asnjë akuzë për trafikim organesh dhe se raportet nuk përmbajnë pretendime për vepra penale të kryera nga ish-udhëheqësi i UÇK-së.
Avokatja gjithashtu theksoi se Krasniqi ka qëndruar në paraburgim për 1,126 ditë, larg familjes së tij, përfshirë bashkëshorten, katër fëmijët dhe njëmbëdhjetë nipërit dhe mbesat.
Në përfundim, mbrojtja kërkoi që trupi gjykues të bazojë vendimin mbi prova dhe të shpallë Jakup Krasniqin të pafajshëm, duke i mundësuar atij rikthimin pranë familjes.




