Avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, mbrojti klientin e tij gjatë fjalëve përmbyllëse në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ellis argumentoi se pretendimet për përfshirjen e Krasniqit nuk bazohen në prova konkrete. Ai tha se, edhe në rast se janë kryer krime nga anëtarë të policisë ushtarake, kjo nuk tregon që Krasniqi ka pasur rol në vendimmarrje ose zbatim të rregulloreve, apo se ka kontribuar drejtpërdrejt në këto veprime.
“Kryerja e krimeve nga anëtarë të policisë ushtarake nuk është provë që zotëri Krasniqi të ketë luajtur ndonjë rol në këtë rregullore apo që ky rol të ketë pasur ndikim në kryerjen e krimeve,” tha Ellis.
Ai shtoi se Prokuroria e Specializuar, sipas tij, po përpiqet pa sukses të lidhë praninë e Krasniqit në disa vende me supozimet për krime, pa ofruar dëshmi që kjo praninë e tij të ketë ndikuar në ndonjë mënyrë. “Asnjë dëshmi apo provë nuk tregon që prania e tij ka kontribuar në kryerjen e krimeve,” përfundoi avokati.




