Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar se më 27 shkurt do të fillojë gjykimi i dytë ndaj Hashim Thaçi, ku të përfshirë janë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
Seanca është planifikuar të fillojë në ora 09:30 dhe të përfundojë në 16:00. Për këtë grup, aktakuza fillestare ishte ngritur më 29 nëntor 2024 dhe u ndryshua më 16 prill 2025, duke mbetur aktakuza aktuale në fuqi.
Sipas aktakuzës, midis 12 prillit dhe 2 nëntorit 2023, Thaçi i ka dhënë bashkëpunëtorëve informacion konfidencial mbi dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria, duke i udhëzuar për mënyrën e ndikimit në dëshmitë e tyre gjatë procesit gjyqësor për krime lufte.




