Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale në ditën e fundit të deklaratave të katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ai tha se kjo gjykatë ka shkelur të drejtat e njeriut gjatë procesit gjyqësor, duke theksuar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, dhe Rexhep Selimi janë mbajtur të izoluar për më shumë se 5 vjet, larg familjeve dhe shtetit të tyre.
Konjufca e quajti Gjykatën Speciale si “etnike” dhe theksoi se fokusi i saj ka qenë padrejtësisht te UÇK. Ai shtoi se lufta e Kosovës ka qenë mbrojtëse dhe se objektivi ka qenë vetëm kundër forcave serbe që kryen gjenocid, dhe jo kundër popullsisë tjetër.
Për më tepër, Konjufca i përmendi dokumentet që kanë shërbyer për themelimin e gjykatës, duke theksuar se raporti i Dick Marty ka rezultuar i rremë. Ai kritikoi gjithashtu që kërkesa e deputetëve për të trajtuar masakrën e Dubravës u injorua nga Gjykata Speciale.




