Avokati mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mišetić, ka kritikuar ashpër Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke e akuzuar për dështim në paraqitjen e provave gjatë procesit gjyqësor në Hagë.
Sipas tij, barra e provës bie tërësisht mbi prokurorinë dhe ajo ka dështuar ta përmbushë këtë detyrim. Ai theksoi se një nga gabimet më të mëdha në një gjykim është të premtohet më shumë sesa mund të provohet, duke shtuar se, sipas tij, pikërisht këtë ka bërë ZPS-ja.
“Kanë premtuar fishekzjarrë dhe spektakël, por nuk kanë paraqitur asgjë,” u shpreh avokati, duke shtuar se prokuroria nuk ka dhënë shpjegime konkrete për pretendimet ndaj klientit të tij.
Ai ngriti pyetje lidhur me pretendimet e ZPS-së, duke kërkuar sqarime se çfarë saktësisht pretendohet se ka thënë apo ka bërë Thaçi dhe cilat veprime konkrete janë ndërmarrë prej tij. Sipas mbrojtjes, këto pretendime nuk janë mbështetur me fakte gjatë paraqitjes në gjykatë.
Deklaratat u bënë gjatë vazhdimit të procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit në Dhomat e Specializuara në Hagë.




