Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka njoftuar se do të paraqesë një amendament në Komisionin Parlamentar për Buxhet, me qëllim që buxheti i kryeqytetit të përfshihet në Projektbuxhetin e vitit 2026.
Ai ka theksuar se ky amendament do të dorëzohet në mbledhjen e Komisionit, e cila do të zhvillohet sot në orën 13:00, dhe ka shprehur shpresën për mbështetje nga të gjitha partitë parlamentare.
Mustafa ka theksuar se përfshirja e buxhetit të Prishtinës duhet të shihet si një çështje me interes të përgjithshëm shtetëror dhe jo si një temë lokale apo partiake. Ai ka vlerësuar rolin e rëndësishëm të kryeqytetit si qendër ekonomike, akademike, shëndetësore dhe administrative të Kosovës, duke theksuar se Prishtina përballet çdo ditë me një fluks të madh qytetarësh nga komunat e tjera.
Sipas tij, investimet në infrastrukturë dhe shërbime janë thelbësore për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe për funksionimin e suksesshëm të shtetit.




