Hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) kanë arrestuar katër persona të dyshuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh në lidhje me shitjen e një prone me vlerë mbi 1.5 milion euro.
Sipas Policisë, të dyshuarit, përmes falsifikimit të dokumenteve – përfshirë pasaportë të Serbisë dhe dokumente të tjera – si dhe duke paraqitur një person të rrejshëm si pronar, kanë arritur ta tjetërsojnë përmes noterit një pronë prej 36.28 ari në dëm të ankuesit M.T.
Njëkohësisht, ata dyshohet se kanë mashtruar blerësin H.M., duke i paraqitur dokumentacion të rregullt dhe duke përfituar shumën prej 1,578,180 euro.
Me urdhër verbal të prokurorit të rastit, janë kryer kontrolle në pesë lokacione të ndryshme, ku janë sekuestruar 9 mijë euro si prova materiale.
Të dyshuarit M.M., Sh.B., D.R. dhe B.Zh. janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprat penale “Mashtrim”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme”.




