KF Shkëndija është mposhtur me rezultat minimal 0:1 nga Samsunspor në ndeshjen e parë të fazës “play-off” të UEFA Europa Conference League.
Takimi i zhvilluar në stadiumin Todor Proeski National Arena në Shkup u mbyll pa gola në pjesën e parë (0:0). Skuadra turke pati mundësinë të kalonte në epërsi, por humbi një penallti, duke i dhënë frymëmarrje ekipit tetovar.
Nga ana tjetër, Tamba krijoi dy raste të mira shënimi për Shkëndijën, por nuk arriti t’i konkretizojë ato.
Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 77-të, kur Mouandilmadji realizoi për 0:1, duke i dhënë avantazh Samsunsporit para sfidës së kthimit.
Kjo ishte hera e parë që Shkëndija u përball me një kundërshtar nga Turqia në garat evropiane. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas një jave në Turqi, ku do të vendoset përfundimisht çështja e kualifikimit.




