Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se dy projektligje do të kenë prioritet në kuadër të agjendës legjislative të Qeverisë.
“Në kuadër të agjendës legjislative do të prioritizojmë procedimin e Projektligjit për Byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe Projektligjin e ri për çmimet tavan”, ka theksuar Kurti në mbledhjen e dytë të Qeverisë, të mbajtur të premten.
Gjatë kësaj mbledhjeje, ekzekutivi ka miratuar edhe Projekt-rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të ministrive, si dhe Projekt-programin e vlerësimit Ex-Post të akteve juridike.
Po ashtu, Qeveria ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor, si dhe dy projektligje për ratifikimin e amendamenteve të marrëveshjeve financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimi Evropian për programet IPA 2017 dhe IPA 2018.
Në mesin e vendimeve të tjera është edhe miratimi i Projekt-rregullores për procedurën e shqyrtimit administrativ të akteve të komunave, si dhe themelimi i ndërmarrjeve publike lokale “Fushë-Kosova” Sh. A. në Fushë-Kosovë dhe “Eko Drenasi” Sh. A. në Drenas.
Qeveria ka miratuar gjithashtu pakon e 19-të të masave kundër Federata Ruse dhe Bjellorusia në raport me situatën në Ukrainë. Sipas Kurtit, Kosova deri më tani ka miratuar 18 pako paraprake të masave, me të fundit në shtator 2025, duke theksuar se sanksionet janë në përputhje me ato të BE-së dhe SHBA-së.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Kosova synon promovimin e paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, duke shtuar se vendimi kontribuon në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me BE-në dhe SHBA-në.
“Pakoja synon sektorin e energjisë, financave, kompleksin ushtarako-industrial, tregtinë dhe zinxhirët e furnizimit me mallra ushtarakë, shërbimet strategjike përfshirë teknologjinë dhe inteligjencën artificiale, si dhe ndërmerr masa lidhur me kontrollin e lëvizjes së diplomatëve rusë dhe përgjegjësinë për rrëmbimin dhe deportimin e fëmijëve ukrainas. Masat përfshijnë edhe masa ndaj Bjellorusisë”, ka theksuar Konjufca.




