Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në episodin e radhës të podcastit të tij ka folur për deklaratën e mbajtur në Washington, gjatë mbledhjes inauguruese të Bordit të Paqes, ku preku çështjen e procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së.
Rama u shpreh se është i kënaqur për jehonën e fjalës së tij, ku konfirmoi edhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në forcën ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza, por theksoi se mbi të gjitha ngriti shqetësimin për atë që e cilësoi si padrejtësi ndaj ish-udhëheqësve të luftës çlirimtare.
Ai tha se beson që rritja e sensibilizimit ndërkombëtar lidhur me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupit gjykues, duke shtuar se drejtësia duhet të mbizotërojë mbi, siç u shpreh ai, përpjekjet për ta njollosur luftën çlirimtare të Kosovës.




