Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka shprehur mirënjohje ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për vendimin e Qeverisë së Kosovës që parasheh 4 milionë euro mbështetje për Luginën e Preshevës për vitin 2026.
Sinani theksoi se rritja e fondeve është rezultat i kërkesës institucionale të komunës dhe dëshmi e një partneriteti të qëndrueshëm me Kosovën, në funksion të zhvillimit të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Sipas saj, kjo mbështetje hap mundësi të reja në arsim, kulturë, ekonomi dhe në ruajtjen e identitetit kombëtar, ndërsa pritet të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve jetësore në Luginë.
Qeveria e Kosovës kishte krijuar për herë të parë një fond të veçantë për Luginën në vitin 2022 me 2 milionë euro, ndërsa këtë vit buxheti është dyfishuar në 4 milionë euro.




