Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka përmbledhur vërejtjet kryesore të dhëna nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pas përfundimit të misionit dyjavor mbikëqyrës në Kosovë, duke kritikuar qasjen e qeverisë ndaj zhvillimeve ekonomike në vend.
Sipas Hotit, në vend që të adresojë çështjet e ngritura nga FMN-ja, qeveria po fokusohet në përgatitjen e një ligji për vendosjen e çmimeve tavan për disa produkte, masë të cilën ai e konsideron të gabuar për luftimin e inflacionit dhe rënies së fuqisë blerëse.
Më 13 shkurt 2026, misioni i FMN-së nga Uashingtoni përmbylli vizitën në kuadër të konsultimeve sipas Nenit IV, që parasheh mbikëqyrjen e politikave ekonomike dhe financiare të vendeve anëtare. Në deklaratën përmbyllëse u theksuan disa rreziqe për stabilitetin ekonomik dhe fiskal të Kosovës.
Vërejtjet kryesore të FMN-së
Sipas deklaratës së misionit:
Rritja ekonomike ka rënë në 3.25% në fund të tremujorit të tretë të vitit 2025, nga 4.75% një vit më parë, si pasojë e dobësimit të konsumit dhe investimeve private. Për vitin 2026 pritet rritje rreth 3.8%, me synim konvergjencën drejt normës potenciale prej 4%.
Inflacioni në dhjetor 2025 arriti në 5.25%, krahasuar me 1.1% një vit më herët, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve.
Bilanci tregtar është përkeqësuar nga rritja e importeve, veçanërisht e energjisë, duke çuar deficitin e llogarisë rrjedhëse në 9.6% të PBB-së, nga 8.4% në vitin 2024.
Pagat në sektorin public duhet të lidhen me normën e inflacionit.
Paga minimale duhet të përcaktohet duke balancuar produktivitetin dhe koston e jetesës.
Shpenzimet për mallra dhe shërbime duhet të rishikohen për të identifikuar kursime.
Kreditë bankare kanë arritur rreth 60% të PBB-së, ndër nivelet më të larta në vendet evropiane në zhvillim, me nevojë për mbikëqyrje të shtuar, sidomos ndaj sektorit të patundshmërive.
Institucionet mikrofinanciare duhet të monitorohen më rreptë për të ruajtur stabilitetin financiar dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Kritikat ndaj politikave qeveritare
Hoti vlerëson se këto gjetje pasqyrojnë mungesë të menaxhimit të duhur makroekonomik dhe fiskal në vitet e fundit. Ai përmend mungesën e investimeve publike, zvarritjen e projekteve infrastrukturore rrugore dhe neglizhimin e infrastrukturës hekurudhore si faktorë që kanë kufizuar rritjen ekonomike.
Sipas tij, mungesa e politikave industriale ka bërë që rritja e konsumit të mbulohet kryesisht nga importet, të cilat kanë shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit. Ai thekson gjithashtu se mospërshtatja e pagave, pensioneve dhe skemave sociale me inflacionin ka ulur fuqinë blerëse të qytetarëve.
Deputeti ngre shqetësime edhe për normat e larta të interesit nga institucionet mikrofinanciare dhe për zhvillimin e kufizuar të sektorit financiar, i cili, sipas tij, mbetet i përqendruar kryesisht në kreditim.
Kundërshtimi i çmimeve tavan
Hoti kundërshton vendosjen e çmimeve tavan, duke argumentuar se përveç tregjeve të monopolizuara si energjia apo uji, çmimet nuk mund të kontrollohen në mënyrë efektive me ligj. Sipas tij, zgjidhja qëndron në uljen e kostove të prodhimit, transportit dhe tatimeve, si dhe në hartimin e politikave industriale që mbështesin prodhuesit vendorë.
Ai shprehet skeptik se do të ketë reflektim nga qeveria lidhur me rekomandimet e FMN-së, duke theksuar nevojën për ekspertizë më të madhe në hartimin e politikave ekonomike dhe fiskale.




