Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar numërimin e pothuajse të gjitha votave të rregullta në vend, ndërsa po vazhdon procesi i numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Me mbi 90 për qind të votave të numëruara, përfshirë votat e rregullta dhe ato nga diaspora në përfaqësi diplomatike, po bëhet gjithnjë e më e qartë përbërja e legjislaturës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
Sipas të dhënave preliminare, janë edhe kandidatët më të votuar brenda partive kryesore.
Në Lëvizjen Vetëvendosje prin Albin Kurti me 240.150 vota, i ndjekur nga Glauk Konjufca me 189.043, Albulena Haxhiu me 111.168, Hekuran Murati me 95.493 dhe Donika Gërvalla-Schwarz me 90.769 vota.
Në Partinë Demokratike të Kosovës, më i votuari është Bedri Hamza me 113.953 vota, pasuar nga Përparim Gruda me 69.197, Arian Tahiri me 60.174, Uran Ismaili me 56.260 dhe Vlora Çitaku me 38.019 vota.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës prin Vjosa Osmani Sadriu me 78.610 vota, e ndjekur nga Lumir Abdixhiku me 71.424, Doarsa Kica-Xhelili me 56.352, Hykmete Bajrami me 44.461 dhe Avdullah Hoti me 40.898 vota.
Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, më i votuari është Ardian Gjini me 39.508 vota, i ndjekur nga Ramush Haradinaj me 35.491, Daut Haradinaj me 26.741, Besnik Tahiri me 23.293 dhe Bekë Berisha me 19.246 vota.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 42.91% të votave, PDK 21.14%, LDK 17.60%, AAK 7.16% dhe Lista Serbe 6.17%.
Bazuar në këto rezultate, LVV pritet të ketë 48 ulëse në Kuvend, PDK 24, LDK 20 dhe AAK 8.
Procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende, pasi mbeten për t’u numëruar votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat me postë.
Sipas planifikimeve të KQZ-së, rezultatet përfundimtare pritet të shpallen më 26 qershor, ndërsa certifikimi më 6 korrik. Afatet mund të ndryshojnë në varësi të ankesave të mundshme nga subjektet politike./EO/




