Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar pas incidentit të fundit në Kuvend, duke publikuar një video të arkivës ku shihet ish-kryeministri Isa Mustafa duke u goditur me vezë nga aktivistë të Vetëvendosjes.
Krasniqi ka bërë krahasim mes protestave të Vetëvendosjes gjatë kohës sa ishte në opozitë dhe incidentit të fundit në Kuvend, duke pretenduar se bëhet fjalë për situata të ndryshme.
Sipas saj, Vetëvendosje në atë kohë përdorte protesta dhe hedhjen e vezëve si mjet politik, ndërsa incidentin e sotëm e sheh si reagim ndaj, siç pretendon ajo, shkeljeve kushtetuese.
Krasniqi ka kritikuar gjithashtu kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe Vetëvendosjen, duke i akuzuar se nuk po japin llogari për veprimet e tyre institucionale.
“Vezët e sotme janë arsye për ta ruajtur shtetin”, ka shkruar Krasniqi, duke kundërshtuar argumentin se incidenti nuk duhet kritikuar për shkak të rasteve të ngjashme nga e kaluara.




