Nëse presidenti apo presidentja e vendit nuk zgjidhet para 4 marsit, Kuvendi do të shpërndahet dhe Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare brenda 45 ditësh. Kështu ka deklaruar Muhamet Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Hamiti ka rikujtuar se deri në vitin 2001, Presidenti i Kosovës zgjidhej me votë të drejtpërdrejtë nga qytetarët, gjatë periudhës së njohur si Republika e Parë e Kosovës në vitet ’90.
“Ibrahim Rugova është zgjedhur dy herë President i Kosovës me votë të drejtpërdrejtë, më 1992 dhe më 1998. Si kryetar i LDK-së, ai ka këmbëngulur për zgjedhjen e Presidentit nga qytetarët,” ka theksuar Hamiti.
Sipas tij, me Kornizën Kushtetuese të shpallur më 15 maj 2001 nga shefi i UNMIK-ut, Hans Haekkerup, pas konsultimeve me partitë politike, u vendos që Presidenti të zgjidhej nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Në atë kohë, mandati ishte trevjeçar.
Rugova u zgjodh dy herë President nga Kuvendi, në vitin 2002 (pas zgjedhjeve parlamentare të 17 nëntorit 2001) dhe në vitin 2004.
Edhe me Kushtetutën aktuale të Republikës së Kosovës, zgjedhja e Presidentit i takon Kuvendit, ndërsa mandati është pesëvjeçar.
“Prandaj, sot përballemi me situatën që nëse nuk zgjidhet Presidenti i vendit para datës 4 mars, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare brenda 45 ditësh”, ka shkruar Hamiti.




