Ish-zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pritet të drejtojë Zyrën për Ekspertizë dhe Mbikëqyrje Strategjike, një strukturë e re e themeluar nga Qeveria e Kosovës, që vepron nën kompetencën e Kryeministrit Albin Kurti.
Zyra do të ketë përgjegjësi për mbikëqyrjen e projekteve kapitale, kontratave dhe zbatimin e Planit të Punës së Qeverisë, si dhe për sigurimin e zbatimit të kontratave të nënshkruara dhe rekomandimin e masave për Kryeministrin.
Besnik Bislimi do të raportojë drejtpërdrejt Kryeministrit dhe mund t’i delegohen edhe detyra shtesë nga ekzekutivi. Zyra do të ketë buxhet dhe staf mbështetës, duke përfshirë asistentë dhe shoferë.
Bislimi ka theksuar se mandati i ri qeveritar do të sjellë më shumë përgjegjësi dhe progres në zhvillimin ekonomik dhe demokratik.
Ndërkohë, çështja e dialogut me Serbinë do të kalojë nën kompetencën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të udhëhequr nga Glauk Konjufca.




