Për herë të parë në Belgjikë, qyteti i Ghent ka ndriçuar dy prej rrugëve më të frekuentuara tregtare me dekorime festive për muajin e Ramazanit.
Nisma është realizuar nga Shoqata e Xhamive të Ghentit (VGM), në bashkëpunim me tregtarët lokalë, duke transformuar rrugët Bevrijdingslaan-Phoenixstraat në lagjen Brugse Poort dhe Wondelgemstraat në lagjen Rabot në hapësira të ndriçuara simbolike për muajin e agjërimit.
Dritat janë vendosur pak ditë para fillimit të Ramazanit dhe do të qëndrojnë deri në festën e Fitër Bajramit. Sipas përfaqësuesve të VGM-së, kjo është hera e parë që realizohet një iniciativë e tillë në Belgjikë.
Projekti është financuar plotësisht nga tregtarët vendas, ndërsa shoqata ka koordinuar procedurat dhe sigurimin e lejeve përkatëse. VGM përfaqëson 23 xhami në Ghent dhe synon të forcojë bashkëpunimin brenda komunitetit mysliman dhe më gjerë.




