Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj gjuhës së urrejtjes në Kumanovë.
Në një njoftim për medie, OVL e UÇK-së thekson se në Maqedoninë e Veriut është zhvilluar luftë për të drejta, për barazi, për dinjitet. “Cenimi i këtyre të drejtave themelore sot, përmes thirrjeve antishqiptare në stadiume, është një provokim i papranueshëm dhe i rrezikshëm”.
OVL e UÇK-së tutje nënvizon se destabiliteti nuk i shërben askujt, e aq më pak kur vjen nga tribuna që duhet të ishin hapësira të bashkimit dhe respektit mes njerëzve, pa dallim etnie, race apo përkatësie.
Më tej, OVL e UÇK-së thekson se kontributi për paqe dhe stabilitet është detyrim për çdo shtet që synon demokraci e integrim. “Heshtja në këso raste është bashkëfajësi”, thuhet në fund të njoftimit.




