Burime jozyrtare nga Bashkimi Evropian bëjnë të ditur se ekziston pritje reale për heqjen përfundimtare të masave ndaj Kosovës, madje duke përmendur këtë të hënë si datë orientuese për vendimin.
Sipas informacioneve, në nivel të Komisioni Evropian janë përmbyllur procedurat përkatëse, ndërsa ka mbetur vetëm takimi i përfaqësuesve të shteteve anëtare, ku pritet të formalizohet vendimi.
Masat ishin vendosur më 2023. Një vit më pas, ish-shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, kishte rekomanduar heqjen e tyre, por procesi i formalizimit zgjati mbi 18 muaj.
Që nga vendosja e masave, mbi 400 milionë euro asistencë financiare u bllokuan. Në fund të vitit 2025 u hoq gjysma e tyre, ndërsa tani pritet zhbllokimi i pjesës së mbetur.
Në kuadër të masave ishte përfshirë edhe pezullimi i takimeve bilaterale me Qeverinë e Kosovës, përveç atyre me karakter rajonal. Ndërkohë, komisionerja për zgjerim, Marta Kos, e cila ende nuk e ka vizituar Kosovën, planifikon një vizitë gjatë këtij muaji, ku mund të komunikojë edhe vendimin për heqjen e masave.




