Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit në Kosovë, duke theksuar se mosrespektimi i afateve kushtetuese do të krijonte një precedent të rrezikshëm për rendin kushtetues.
Bajraktari nënvizon se, sipas nenit 86, paragrafi 2 të Kushtetutës, presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Ai shton se kjo dispozitë nuk është vetëm një formalitet, por një normë detyruese që garanton stabilitet institucional dhe vazhdimësi kushtetuese.
Sipas Bajraktarit, respektimi i afateve kushtetuese është test i pjekurisë demokratike, dhe çdo vonesë apo relativizim cenon sigurinë juridike dhe besimin në rendin kushtetues. Ai thekson se Kushtetuta nuk ofron afate “orientuese”, por norma të qarta që duhet të respektohen në kohë dhe pa ekuivok.




