Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, në një takim njoftues, i mirëpriti përfaqësuesit e Shoqatës së Invalidëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kryetarin, Fadil Shurdhaj, shoqëruar me Sekretarin, Enver Krasniqi, dhe anëtarin e Kryesisë, Sylë Vitia.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, e uruan Ministrin Hoti për detyrën, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të sinqertë dhe duke premtuar se do të kenë qasje mirëkuptimi dhe komunikim të ngushtë për të gjitha problemet që do t’i adresojnë për kategoritë e luftës.
Gjatë takimit Ministri Hoti u njoftua për nevojat dhe vështirësitë me të cilat përballen invalidët e UÇK-së, dhe organizata që i përfaqëson, ndërsa shpalosi vizionin e tij për ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e Vlerave të Luftës Çlirimtare.
Ministri Hoti theksoi përkushtimin e tij për dinjitetin e kategorive të luftës, me prioritet përfshirjen në Ligjin për Vlerat e Luftës Çlirimtare, duke premtuar se asnjëherë nuk do të mungojë gatishmëria për bashkëpunim dhe angazhim të përbashkët në adresimin e problemeve të invalidëve të luftës së UÇK-së.




