Policia e Shtetit ka arrestuar një 54-vjeçar në pikën kufitare të Kapshticës, i dyshuar për kontrabandë mallrash nga Greqia.
Sipas autoriteteve, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e DVKM Korçë në hyrje të Shqipërisë, në automjetin që drejtohej nga shtetasi me inicialet A. I., janë gjetur medikamente të ndryshme mjekësore dhe një sasi veshjesh pa dokumentacionin përkatës.
Mallrat e dyshuara dhe automjeti janë sekuestruar si prova materiale, ndërsa 54-vjeçari, banues në Korçë, është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuara”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.




