Akademiku dhe ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka vendosur të tërheqë gatishmërinë e tij për t’u propozuar si kandidat konsensual për president të Republikës së Kosovës.
Ai njoftoi se ky vendim erdhi pasi dy partitë kryesore parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk e mbështetën konceptin e një kandidati të përbashkët.
Sipas Bajramit, qëllimi i vetëofrimit ishte tejkalimi i krizës politike dhe institucionale dhe kontributi për unitet politik e funksionim kushtetues të institucioneve. Ai theksoi se angazhimi i tij nuk kishte motive personale, por ishte në funksion të stabilitetit dhe demokracisë në vend.
Bajrami uroi sukses për presidentin apo presidenten e ardhshme dhe shprehu gatishmëri që të vazhdojë të kontribuojë në proceset shtetformuese në kapacitetin e tij akademik dhe profesional.




