Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar të martën mbrëma, duke shprehur besimin se Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të marrë një vendim të drejtë dhe në përputhje me mandatin e saj kushtetues, për të zgjidhur situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës dhe për të shmangur bllokadën institucionale.
Në një komunikatë për media, LDK-ja thekson se lënda e paraqitur para Gjykatës Kushtetuese përmban, siç thuhet, një fakt të pakontestueshëm: “partia fituese e zgjedhjeve nuk e ka përmbushur detyrimin kushtetues për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit në seancën konstituive”.
LDK-ja bën thirrje për një vendim të drejtë që, siç thuhet, i hap rrugë shumicës parlamentare për të propozuar Kryetarin e Kuvendit dhe për të rikthyer normalitetin institucional.




