Policia në Vushtrri ka sekuestruar dy armë zjarri në dy raste të ndara gjatë aktiviteteve të saj operative dhe hetimore.
Në rastin e parë, Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSh), gjatë realizimit të një pike kontrolli, ka ndaluar një person tek i cili është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri e llojit pistoletë, për të cilën i dyshuari nuk posedonte leje. Pas përfundimit të veprimeve të nevojshme procedurale, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, në rastin e dytë, hetuesit policorë gjatë hetimeve lidhur me një rast të dhunës në familje kanë gjetur tek i dyshuari një pistoletë me tetë (8) fishekë, një boks hekuri dhe një thikë, të cilat janë sekuestruar.
Me vendim të prokurorit kompetent, të dyshuarit në rastin e dytë i është caktuar masa e ndalimit policor.





