Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, u ka kërkuar falje vendeve fqinje që u goditën nga sulmet iraniane gjatë zhvillimeve të fundit në rajon.
Në një fjalim të transmetuar nga televizioni shtetëror, Pezeshkian tha se Irani shpreh keqardhje për sulmet që prekën disa vende të rajonit. “U kërkoj falje vendeve fqinje që u sulmuan nga Irani”, tha ai, sipas raportimit të agjencisë AFP.
Presidenti iranian njoftoi gjithashtu se këshilli i përkohshëm i udhëheqjes në Iran ka miratuar një vendim që të mos kryhen sulme apo goditje me raketa ndaj vendeve fqinje, përveç rasteve kur ndaj Iranit kryhet një sulm nga territori i tyre.
Këto deklarata vijnë pasi Irani kishte shënjestruar disa vende të Gjirit, ku janë të pranishme forca amerikane, duke ndërmarrë sulme me raketa dhe dronë në shenjë hakmarrjeje. Sulmet pasuan operacionet ushtarake të ndërmarra fundjavën e kaluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.




