Një trup i pajetë është gjetur sot në fshatin Istog i Poshtëm, në zonën e njohur si Mali i Popit. Familjarët dyshojnë se mund të bëhet fjalë për B.M., i cili ishte raportuar i zhdukur që nga vera e vitit 2025.
Sipas raportimeve të mediave lokale, ai ishte larguar nga shtëpia për të shkuar në një aheng familjar dhe kishte marrë rrugën përmes malit, ndërsa që nga ajo ditë nuk kishte asnjë informacion për vendndodhjen e tij.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka bërë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 14:55, kur një person njoftoi policinë për gjetjen e një trupi të pajetë. Sipas tij, familjarët dyshojnë se mund të jetë i afërmi i tyre i zhdukur, por identiteti ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.




