Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit të ri nuk ka dështuar, por se ka skaduar mandati i Presidentes Vjosa Osmani, të cilën e ka quajtur ish-presidente.
Rashiq tha se lind pyetja nëse Osmani ka të drejtë të shpërndajë Parlamentin, duke sqaruar se sipas procedurës, pas skadimit të mandatit të presidentit ekziston një periudhë 60-ditore për zgjedhjen e presidentit të ri, pas së cilës shpërndarja e Kuvendit do të ishte automatike. Ai theksoi se vendimi përfundimtar i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese.
Sa i përket zgjedhjeve të mundshme, Rashiq u shpreh se partia e tij është e gatshme të dalë në terren, edhe pse qytetarët janë të lodhur nga proceset e shpeshta zgjedhore.




