Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes është mbajtur ceremonia e përfundimit të Kursit për Rreshtermajor për “Gjeneratën 03-2026”, një program i avancuar profesional për nënoficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ky trajnim synon përgatitjen e pjesëtarëve për të marrë përgjegjësi më të larta në strukturën e lidershipit të trupës së nënoficerëve. Gjatë kursit, pjesëmarrësit kanë ndjekur një program të strukturuar që ka përfshirë studime profesionale, zhvillim të lidershipit, menaxhim të forcës dhe trajnim në operacione ushtarake si dhe bashkëpunim ndërinstitucional.
Përmes këtij programi, kursantët kanë zgjeruar njohuritë profesionale dhe kanë përmirësuar aftësitë e tyre në udhëheqje, planifikim dhe menaxhim të detyrave brenda strukturës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Përfundimi i kursit konsiderohet një hap i rëndësishëm në avancimin profesional të pjesëtarëve të kësaj gjenerate, të cilët pritet të kenë rol më të madh në forcimin e trupës së nënoficerëve dhe në rritjen e kapaciteteve institucionale të FSK-së.




