Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur masë të përkohshme me të cilën ndalon çdo veprim të Vjosa Osmani dhe të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Vendimi është marrë pasi kryeministri Albin Kurti e dërgoi për shqyrtim në Kushtetuese dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.
Sipas vendimit të gjykatës, masa e përkohshme ka hyrë në fuqi më 9 mars 2026 dhe do të mbetet në fuqi deri më 31 mars 2026. Gjatë kësaj periudhe ndalohet çdo veprim i presidentes në lidhje me dekretin, si dhe çdo veprim i Kuvendit që lidhet me këtë çështje.
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit ishte nxjerrë nga presidentja pasi institucionet nuk arritën të zgjedhin presidentin e ri deri në afatin e përcaktuar më 5 mars.




