Shoqata e Onkologëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin për situatën aktuale të shërbimeve onkologjike, teksa numri i pacientëve me sëmundje malinje po rritet çdo vit.
Sipas shoqatës, edhe pse nevoja për shërbime onkologjike është e madhe, disa specialistë të rinj vazhdojnë të mbeten pa mundësi punësimi në institucionet publike.
Çdo specialist i papunësuar përfaqëson një mundësi të humbur për diagnostikim më të shpejtë, trajtim të personalizuar dhe përmirësim të kujdesit për pacientët.
Aktualisht, kimioterapia dhe radioterapia realizohen kryesisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjë që shkakton ngarkesë të madhe dhe shpesh vonesa në trajtim, thekson shoqata.




