Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se vendi ka nevojë për udhëheqje që bashkon, e jo për përplasje mes pushteteve.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Musliu-Shoshi ka deklaruar se bashkëpunimi mes dy krerëve të shtetit nuk po i shërben interesit të Kosovës.
Sipas saj, shtetet dobësohen jo kur kanë pak pushtet, por kur pushteti humb ndjenjën e përgjegjësisë.
“Binomi Albin Kurti dhe Vjosa Osmani po dëshmon se kur ambicia i paraprin vizionit, shteti mbetet peng i vetvetes. Ky vend ka nevojë për mendje të mëdha që bashkojnë, jo për pushtete që përplasen. Kur udhëheqja humb drejtimin, është Kosova ajo që humb,” ka shkruar Musliu-Shoshi.
Ajo ka theksuar se vendi ka nevojë për më shumë bashkëpunim institucional dhe fokus në interesin shtetëror.




