Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti në takim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.
Në takimin njoftues pas formimit të qeverisë së re, ambasadori Rudolph e uroi Konjufcën për mandatin e ri dhe riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për zhvillimin demokratik dhe perspektivën evropiane të Republika e Kosovës.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, një partneritet që shkon përtej dimensionit bilateral dhe mbështetet në lidhje të forta politike, ekonomike dhe shoqërore. Palët theksuan edhe rolin e rëndësishëm të diasporës kosovare në Gjermani, si dhe kontributin e bizneseve të shumta të qytetarëve të Kosovës që operojnë atje.
Po ashtu, u nënvizua nevoja për rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve ekonomike dhe të bashkëpunimit tregtar mes dy vendeve. Në bashkëbisedim u trajtuan edhe zhvillimet rajonale dhe procesi i dialogut, si dhe rëndësia e koordinimit dhe angazhimit të përbashkët për stabilitet dhe përparim në rajon.
Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e partneritetit me Gjermaninë dhe për zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.




