Një zyrtar i Shërbimit Korrektues të Kosovës është suspenduar nga detyra pasi dyshohet se është përfshirë në një konflikt ku një person ka mbetur i plagosur.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për një zyrtar korrektues me inicialet Ç.SH., i cili ishte i punësuar në Qendrën Korrektuese të Dubravës. Masë e suspendimit është marrë deri në përfundim të procedurave dhe hetimeve lidhur me rastin.
Institucioni ka bërë të ditur se menjëherë pas marrjes së informacionit janë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe rasti pritet të trajtohet nga organet kompetente.
Nga Shërbimi Korrektues është theksuar se institucioni mbetet i përkushtuar për respektimin e ligjit dhe standardeve profesionale dhe se do të bashkëpunojë me autoritetet për zbardhjen e plotë të rastit.




