Eman Rrahmani, deputet i Kuvendit të Kosovës në disa legjislatura, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje dhe Qeverinë e Albin Kurti për ligjet që pritet të diskutohen në Kuvend më 30 qershor 2026, përfshirë ndërrimin e gjinisë dhe martesat e të njëjtës gjini.
Rrahmani tha se asnjë anëtar i VV-së nuk është tërhequr nga kjo agjendë, duke shtuar se gjatë fushatës zgjedhore disa kandidatë kishin deklaruar se këto ligje nuk do të vijnë në Kuvend. Ai i akuzoi këta deputetë se kanë mashtruar votuesit dhe qytetarët duke mos treguar të vërtetën për agjendën legjislative të Kurtit për vitin 2026.
“Ambiciet e ulëta për interesa personale i kanë detyruar këta njerëz të mashtrojnë votuesit me premtimin që këto ligje nuk vijnë në Kuvend”, shkroi Rrahmani në një postim në Facebook.
Ai gjithashtu kritikoi mbështetjen publike që ligjet kanë marrë nga figura të njohura, përfshirë akademikë, intelektualë dhe disa liderë fetarë, duke theksuar se çdo mbështetje për VV-në dhe Albin Kurtin nënkupton mbështetje për ligjet që lejojnë ndërrimin e gjinisë, martesat e të njëjtës gjini dhe lindjen e fëmijëve pa identitet të qartë të prindërve.
Rrahmani kërkon që deputetët e VV-së dhe figurat publike me ndikim të japin sqarime qytetarëve për mbështetjen e këtyre ligjeve, të cilat sipas tij janë “kundër Zotit, kundër familjes, kundër njeriut dhe kundër shoqërisë e Kosovës”.




