Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se partia mund të shqyrtojë mundësinë e mbështetjes së Vjosa Osmanit për Presidente, në rast se emri i saj propozohet nga partia e parë.
Haziri tha se LDK do të analizonte nëse është më e arsyeshme të shkohet në zgjedhje apo të jepet mbështetje për kandidaturën e Osmanit, duke marrë parasysh edhe qëndrimin e mëhershëm të partisë në një situatë të ngjashme.
Ai bëri të ditur në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova se organizimi i zgjedhjeve në Kosovë është një proces i kushtueshëm dhe LDK-ja do të vepronte me racionalitet.
“Ne nuk e kemi pasur asnjë arsye të marrim barrën e përgjegjësisë; zgjedhjet janë shumë të shtrenjta në Kosovë. Nëse partia e parë e propozon Vjosën, do ta vlerësojmë nëse duhet të shkojmë në zgjedhje apo ta mbështesim kandidaturën e saj”, u shpreh Haziri.




