Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti i ka keqinterpretuar qëllimisht diskutimet e tyre për çështjen e presidentit. Në një intervistë në emisionin Debat Plus, Çitaku tha se PDK-ja kishte kërkuar një marrëveshje parimore dhe jo një marrëveshje “blanko”.
Sipas saj, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i kishte thënë Kurtit se partia është e gatshme të propozojë një kandidat, por jo domosdoshmërisht një emër ekskluzivisht partiak. Çitaku theksoi se PDK-ja ka shkuar në tryezë për të dhënë një zgjidhje dhe për të dalë nga kriza politike e krijuar gjatë dy viteve të fundit, jo për pazare apo interesa personale.
“Do të ishte e pandershme të flisnim për emra specifikë pa pasur dakordim paraprak. Hapi i parë është marrëveshja për parimet, pastaj do të diskutojmë kriteret dhe cilësitë e kandidatëve,” tha ajo, duke shtuar se situata është e krijuar për shkak të vullnetit politik të shumicës.




