Dy kontraktorë ndërtimi nga Kosova janë dënuar me burgim dhe gjobitur për mashtrim ndaj sigurimeve shoqërore në Austri, në një shumë prej 3.8 milionë eurosh. Seanca gjyqësore u mbajt të martën në Linz.
I akuzuari kryesor u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim dhe duhet të paguajë 500 mijë euro shtetit. I dyti, 39 vjeç, u dënua me 24 muaj burgim, prej të cilave 6 muaj pa kusht dhe pjesa tjetër me kusht për tre vjet, si dhe duhet të paguajë 100 mijë euro gjobë. Së bashku, ata duhet të kompensojnë Fondin Austriak të Sigurimeve Shëndetësore (ÖGK) me mbi 3.8 milionë euro.
E akuzuara e tretë, një grua 37-vjeçare, u lirua nga akuzat për mungesë provash. Sipas aktakuzës, gjatë një periudhe trevjeçare, më shumë se 4 mijë punëtorë të huaj u regjistruan dhe ç’regjistruan në sistemin e sigurimeve shoqërore, duke mashtruar kontributet e punëdhënësve. Hetimi nisi pas inspektimeve të kantierëve në Steiermark, ku u zbuluan dokumente të falsifikuara.




