Rritja e çmimeve në Kosovë po vazhdon edhe në muajt e parë të këtij viti, me inflacionin që në shkurt ka arritur në 6%, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Shtrenjtimi është vërejtur kryesisht tek produktet ushqimore dhe shërbimet që lidhen me transportin.
Çmimet e disa produkteve bazë kanë pësuar rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë: mishi i viçit nga 10.47 €/kg në 12.90 €/kg, mollët nga 1.07 €/kg në 1.30 €/kg, domatet nga 1.71 €/kg në 1.98 €/kg, ndërsa kafeja e bluar nga 14.52 €/kg në mbi 16 €/kg.
Qytetarët po ndjejnë barrën e shtuar në buxhetin familjar. “Çmimet me të vërtetë janë të padukshme. Por me këto paga, shumë vështirë është që të kalohet muaji”, ka thënë Albert Maloku. Disa fajësojnë Qeverinë dhe bizneset për rritjen e çmimeve, ndërsa të tjerë kritikojnë fitimet e larta të bizneseve, siç u shpreh Magbule Ibrahimi: “Bizneset gjithmonë kanë dashur të fitojnë maksimumin”.
Në të njëjtën kohë, rritja e çmimit të derivateve të naftës pritet të ndikojë edhe në çmimet e transportit dhe produkteve të tjera. Sipas Agim Shahinit, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, “ngritja e çmimit të derivateve të naftës do të ndikojë drejtpërdrejt në transport, industri dhe konsumatorë”. Çmimi aktual i naftës sillet nga 1.44 €/litër deri në 1.54 €/litër, ndërsa çmimi mesatar i importit është 1.45 €/litër, sipas të dhënave të Doganës.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut vazhdon monitorimin e tregut për të shmangur abuzimet.




