Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, pas pranimit të një informate përmes rrugëve operative dhe pas marrjes së autorizimit për ndërmarrjen e veprimeve nga Prokurori Kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kanë realizuar një kontroll në garazhin e një shtëpie në Prishtinë.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar 44 pako cigare pa banderola, të cilat dyshohet se janë kontrabanduar në territorin e Republikës së Kosovës. Vlera e përgjithshme e këtyre cigareve vlerësohet të jetë rreth 15,000 euro, ndërsa shmangiet nga pagesa e taksave dhe detyrimeve doganore llogariten të jenë mbi 30,000 euro.
Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, personi i dyshuar – njëkohësisht pronar i mallit – është intervistuar lidhur me rrethanat e rastit, ndërsa malli i gjetur është konfiskuar.




