Atifete Jahjaga, përmes ftesës së Kombeve të Bashkuara dhe si anëtarja e vetme nga rajoni në Rrjetin e Grave Lidere të OKB-së, po merr pjesë në disa ngjarje gjatë sesionit të 70-të të Komisionit për Statusin e Grave në New York.
Në një panel të nivelit të lartë me lidere nga mbarë bota, Jahjaga theksoi rolin e grave në pozita vendimmarrëse për nxitjen e politikave gjithëpërfshirëse dhe institucioneve të ndjeshme ndaj nevojave të shoqërisë.
Ajo gjithashtu rikujtoi përvojën e saj në avokimin për drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e dëgjimit të të mbijetuarve, krijimit të hapësirave të sigurta dhe forcimit të mekanizmave institucional.




