Ambasada Britanike ba thënë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen dhe zbatohen nga të gjithë.
Nga ambasada është thënë edhe se, aftësia e Gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është jetike për demokracinë e Kosovës.
Reagimi i ambasadës britanike është bërë pasi që presidentja Vjosa Osmani, ka tërhequr kërkesën drejtuar Kushtetueses për të kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi. Shkak i kësaj është gjyqtari serb në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban, për të cilin, presidentja ka thënë se caktimi i Llabanit si raportues në shqyrtimin e kërkesës së saj, “është jo vetëm shqetësues, por edhe i rrezikshëm”.
‘‘Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka procedura të përcaktuara mirë për shqyrtimet dhe vendimet e saj. Aftësia e Gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është jetike për demokracinë e Kosovës. Kjo duhet të respektohet dhe promovohet nga të gjitha palët, dhe vendimet e Gjykatës të respektohen dhe zbatohen’’, është thënë në reagimin e ambasadës britanike.




