Sonte do ti zhvillojnë ndeshjet kualifikuese, kampionja Fc Drita për Ligën e Europës, dhe nënkampioni Ballkani për Ligën e Konferencës.
Fc Drita pret sonte FCSB-në në lojën e parë të rrethit të tretë kualifikues për Ligën e Europës.
Loja do zhvillohet nga ora 20:30 në stadiumin “Arena Nationala” të Bukureshtit.
Në konferencën për media të mbajtur një ditë para ndeshjes, trajneri i Dritës, Zekirja Ramadani, theksoi se skuadra është e përgatitur për një sfidë të vështirë.
“Nesër na pret një përballje shumë e fortë kundër një skuadre me traditë dhe cilësi të lartë, edhe pse po kalon një krizë të vogël që çdo klub mund ta ketë. Ne jemi të përgatitur të japim maksimumin përballë FCSB-së”, u shpreh Ramadani.
Ndërkaq nënkampioni i Kosovës Ballkani sonte pret skuadrën irlandeze, Shamrock Rovers, në ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues për Ligën e Konferencës .
Ndeshja do të zhvillohet nga ora 20:30 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Në prag të këtij dueli evropian, trajneri i Ballkanit, Orges Shehi ka vlerësuar kundërshtarin si një ekip me përvojë dhe stabilitet, por është shprehur bindës se ekipi suharekas do të japë gjithçka për të arritur një rezultat pozitiv para tifozëve të vet.
“Është një përballje e dy ekipeve me cilësi dhe eksperiencë. Shamrock është në ritëm gare dhe ka lojtarë që luajnë bashkë prej kohësh, ndërsa Ballkani ka kaluar nëpër një fazë tranzicioni, por tashmë jemi stabilizuar. Do të mundohemi të bëjmë zotin e shtëpisë dhe të përfitojmë nga gabimet e tyre”, ka theksuar trajneri Shehi në konferencën për media.




