Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit për këngëtarin Besart Kelmendi, i njohur me emrin artistik Gjesti.
Ai u arrestua një ditë më parë dhe dyshohet për tri vepra penale: armëmbajtje pa leje, kanosje dhe asgjësim apo dëmtim të pasurisë.
Lajmin për kërkesën e Prokurorisë e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Sipas Prokurorisë, këngëtari fillimisht është ndaluar për 48 orë, ndërsa dyshohet se ka kryer veprat penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “kanosja” dhe “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.




