Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se nga 15 marsi do të nisë zbatimi i plotë i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Veturat, të cilat janë në përputhje me direktivat e Bashkimi Evropian.
Ai tha se faza e parë e zbatimit ka filluar më 15 janar dhe është fokusuar në informimin dhe përgatitjen për zbatimin efektiv të këtyre ligjeve.
Kurti theksoi se ligjet synojnë rritjen e sigurisë, menaxhim më të mirë të migrimit dhe rregullim më efikas të qarkullimit në trafik. Ai shtoi se procesi do të zhvillohet në koordinim me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, si dhe me përfaqësuesit e komunitetit serb.
Sipas tij, zbatimi i ligjit do të ndikojë edhe te qytetarët që vijnë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, por qëllimi është legalizimi i shërbimeve brenda kornizës ligjore të Kosovës dhe jo ndërprerja e tyre.
Qeveria do të pajiset me listat e stafit akademik dhe shëndetësor për t’u dhënë leje të përkohshme qëndrimi 12-mujore, ndërsa procedurë e njëjtë do të vlejë edhe për studentët e huaj. Gjithashtu do të hapet një afat tre-mujor për regjistrimin e fakteve civile që janë lëshuar nga strukturat ilegale.




