Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, Ozkan Ulutash, ka deklaruar se prania e forcave të KFOR nuk ka një afat të caktuar për përfundim.
Ai theksoi se vlera e KFOR-it qëndron në praninë e dukshme dhe fleksibile në terren, qasjen e paanshme ndaj të gjitha komuniteteve dhe rolin në krijimin e hapësirës për dialog politik.
Mandati i KFOR-it bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa çdo vendim për të ardhmen e tij i takon Këshillit të Atlantikut të Veriut, organi vendimmarrës i NATO-s.
Ulutash shtoi se KFOR do të vazhdojë të përshtatet sipas nevojës dhe mbetet pjesë kyçe e përpjekjeve ndërkombëtare për siguri të qëndrueshme në Kosovë, duke mbështetur gjithashtu dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi.




