Dy persona të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës janë ekstraduar nga Italia drejt Kosovës më 12 dhe 13 mars 2026, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas policisë, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në koordinim me institucionet e drejtësisë, është realizuar me sukses ekstradimi i dy të dyshuarve të kërkuar përmes INTERPOL.
Më 12 mars është ekstraduar personi me inicialet A.B., i cili kërkohej nga institucionet e drejtësisë në Kosovë për veprën penale “vjedhje e rëndë”.
Ndërkaq, më 13 mars është ekstraduar edhe personi me inicialet Xh.K., i cili kërkohej për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Policia e Kosovës thekson se ekstradimet janë realizuar në bazë të ligjeve në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve italiane.
Pas mbërritjes në Kosovë, të dyshuarit janë dorëzuar tek njësitë përkatëse policore në rajonet përkatëse, përkatësisht në Prizren dhe Mitrovicë, për procedura të mëtejshme ligjore.




