Avokati Arianit Koci ka raportuar një skandal në sistemin gjyqësor, duke bërë të ditur se gjyqtarët nuk janë paraqitur në një seancë për një rast të ngacmimit seksual në degën e Gjykatës Themelore të Prishtinës në Fushë Kosovë.
Sipas tij, seanca ishte planifikuar të niste në orën 09:00, por në sallën e gjyqit në orën 09:20 ndodheshin vetëm viktima dhe ai si përfaqësues i saj. Koci theksoi se rastet e ngacmimit seksual duhet të trajtohen me prioritet të veçantë sipas ligjit.
Ai bëri të ditur gjithashtu se aktakuza në këtë rast është ngritur para më shumë se dy vitesh dhe se viktima është ndjerë e pashpresë dhe e pakënaqur me trajtimin institucional që nga dita e parë kur e ka raportuar rastin në polici. Koci paralajmëroi se një qasje e tillë dërgon mesazh të gabuar për viktimat.




