Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se raketat balistike që Serbia ka blerë nga Kina janë të natyrës sulmuese dhe paraqesin kërcënim për Kosovën dhe gjithë Ballkanin.
Maqedonci tha se Serbia ka bërë vazhdimisht blerje të sistemeve ushtarake nga Kina, Rusia dhe vende të tjera, duke rritur shkallën e militarizimit të vendit. Ai hodhi poshtë pretendimet e Aleksandar Vučić se këto blerje janë për mbrojtje nga Shqipëria, Kosova dhe Kroacia, duke theksuar se ato janë bërë edhe para marrëveshjes trilaterale mes këtyre vendeve.
Ministri i Mbrojtjes shtoi se këto blerje dhe politika hegjemoniste të Serbisë e bëjnë situatën kërcënuese për krejt rajonin dhe nënvizoi rëndësinë që NATO të shqyrtojë seriozisht këtë militarizim.




